Erdha
tek ty me drite ne sy!
Shkruan : Laureta Mema
Ne avion asnjehere nuk kam fat. Ose do me
qelloje ne mes, e shtypur si bizele nga dy kungulla apo kungullesha, ose do me
duhet te skalis durimin tim me ndonje llafazan te kalibrit te larte, si ai
fetari qe me mbushte mendjen se do te shkoja patjeter ne ferr po mos te kuptoja
Biblen sic e kishte kuptuar ai, ose ndonje te ‘çuditshem/ çuditshme, si ajo floke-ondja
qe lexonte dhe mbante tere kohes nje here gishtin ne hunde dhe njehere tjeter
po te njetin gisht ne goje, ose…ose, s’po zgjatem me, i ka avioni te tilla
surpriza. Rendesi ka, qe kete here mire me vajti dhe pse e çuditshmja asnjehere
s’me ndahet, per fatin tim. Dhe ja qe thoni ju, shyqyr qe me qelloi nje
muskuloz afer, se si do ta ngrija valixhen aq te rende, te mbushur me porosira
nga miqte e mi shqiptare dhe qe ma kishin lene amanet t’i merrja me vete ne
avion, se po te humbisnin, me pinte e zeza. Ja, per miqte, se per vete kisha
vendosur te shkoja si trendafileshe me dy duar ne xhepa, jo per gje, por i kam
shume inat valixhet. Se si me ngjallin nje ndjesi peshe, a thua se do i mbaj ne
supe. Sokrati a dikush tjeter prej lashtesise (se akoma debatohet kush e ka
thene) ia pati kthyer me te drejte mikut te tij kur po i digjej shtepia dhe ky
ferkonte barkun: “Pse te shqetesohem? Omnia mea mecum porto” (qe une po e perkthej sipas kontekstit: gjithcka qe me duhet,
eshte ne koken time). Po pra po, kaq shekuj me vone, me tere ate teknologji,
dhe neve akoma na duhen valixhet, lere shtepia pastaj, bashke me ato te vetat
perfshire dhe garazhet dhe me-the-te-thashe.
Muskulozi ishte nga Arabia Saudite dhe sapo u
ula me beri te ditur qe ai e kishte cdo gje nen kontroll. Shkurt muhabetit, me
tregoi gjithe historine e tij perfshire dhe opinionet e tij per qendrimin ne
Amerike si kirurg/profesor. Ishte patriot dhe se luante pika, le te tundej
dollari e te shkundej sa te donte, ai ne vendin e tij kish lindur dhe atje do
te vdiste. E kishte martuar familja me kusheriren e pare, nuk duheshin, nuk
kishin bere asnjehere seks, vetem nje femije kishte lindur ashtu si rastesisht,
ishin ndare me dashamiresi se ajo ishte gjithmone e dashuruar me dike tjeter qe
diten e pare te marteses, dhe… ishte ne kerkim te dashurise, dhe… sipas tij une
isha femra me e bukur qe ai kishte pare ndonjehere: “Jo po seriozisht ta them
kishte kohe qe s’kisha ndjere nje dritherim te tille ne te gjithe trupin.” Epo
mire, s’po jua them te gjitha ato qe me broçkulliti, as kur me propozoi te
shkoja ne Arabine Saudite, as kur, ‘seriozisht’ deklaroi teksa ndaheshim drejt
portave qe te drejtonin drejt kontinenteve te ndryshme: “Une kurre s’do te
harroj!”.
Sa lezet, po mendoja. Çfare shekulli po
jetojme, pa e vene re hiç. I hypen avionit, me boten, per disa ore, ne ajer, ja
fut muhabetit per shtate pale qejfe, shoqeruar me vere me te qara kalamajsh, me
filma, me histori te rastit, sa qe s’ke pse lexon roman se ta thote personi ne
krah romanin e jetes se tij, me banjo ne ajer, me dashuricka ne ajer, me
shpresen se do te thuret edhe nje aventure e rastit, me realitetin njerezor ne
ajer…, dhe njerezit, sapo zbresin ne aeroport, nuk e vene re aspak qe mberriten
nga qielli ne toke. Ketij i them fat une. Sa qejf te jetosh ne kete shekull, ku
egoja e njeriut, pavaresisht nga minimi i vazhdueshem i folese se saj, vazhdon
e mbeshtetet fort ne nje shtylle, le te jete dhe ajer, qiell a dreq, s’ka
shejtan qe te ja prish terezine. Ajo mbeshtetet fort dhe tjerr boshtin e saj te
shumekuptimshem me lesh. Pse habiteni? Ashtu mu pasqyrua per nje moment egoja
jone, nje shllunge e madhe leshi nga ku dalin lemsha, dhe pastaj hidhen e
perdridhen, ngaterrohen e shkaterrohen, per tu bere prape lesh…
Ja dhe aeroporti ne Viene. Une drejtohem
gjithmone menjehere te vendi ku presin shqiptaret se me duket sikur kam
mberritur ne Shqiperi qe aty sapo shoh fytyra nga ‘ato tonat’. Me beri
pershtypje sa te kostumosur ishin te gjithe. Xixa-xixa me bene syte per nja tre
djem te rinj, ne kembe, qe hidhnin kunja, nga ato ‘te tonat’. Nejse, une isha e
lodhur dhe po mendoja qe s’po ndjeja asnje lloj emocioni qe do takoja ata te
mite nje here dhe do shihja Tiranen time, maloket e mi, bobo sa
isha e lodhur! Jam bere njeri pa emocione, po i thoja vetes, asgje s’me ben
pershtypje, çdo aeroport me duket tani si hyrje-dalje pa dere, perfshire dhe
kete tonin! Duhet ta kete fajin nje çike aeroportet per kete pune… ec e merre
vesh, miqte e mi… Ja mberrita ne aeroport, por sigurisht valixhet prape
tregohen me te rendesishme. Duhet pritur sa te mberrijne ato. Anohem nga
dritaret me shpresen se do t’i shoh syte e atyre qe me kerkojne. Dreq
valixhesh, te miat gjithmone ne fund do te vijne! Ou kete here s’paskan ardhur
akoma, qenkan ne Viene. Duhet mbushur dhe formulari. Po-po! Polici me pyet: “E
kujt je ti moj?”. “Me falni!”. Ai perserit pyetjen me terezi e une i bindem… E
perse jo! “Ou, ‘Mema’ , denbabaden Tironse. Po ku rri
moj vajze?”. “Jo jam me origjine nga Kukesi…”
Kishte kohe qe s’kisha pare aq njerez, te
gjithe se bashku, qe po me prisnin me mall, dhe qe me donin.Une akoma se ndjeja
dashurine e tyre por e dija qe ishte aty, e mbinatyrshme; do ta shponte shpejt
perkrenaren time te menefregise kurbet-are. Kur me zuri gjumi, nena (i them
gjyshes) me rrinte te kembe e krevatit: “He te te shoh nena, fli ti, se ja ikin
ditet shpejt dhe te harroj…” . “O nene, po une sa erdha…!” Eh, ndjej qe kapaket e syve shkeputen e
shkeputen e shkeputen si levozhga lisi, si levozhga vezesh te marra nga era
bashke me kapake librash e bashke me hapa turmash… ne sfond silueta e nenes qe
me shef ne drite te syrit dhe une symbyllur ja ndjej fuqine e shikimit, duart e
vyshkura te kembet… dhe marr fryme thelle me gjithe shpirt…
Kisha menduar para se te shkoja se problemi i
vetem per ata shqiptare qe jetojne jashte dhe shkojne te kalojne ne Shqiperi
sado pak pushime, eshte se nuk bejne asnje lloj plani pergaditor per veten e
tyre. Plus, per shkak te mallit mbase, presin nje parajse atdhetare dhe ne fund
zhgenjehen nga mungesa e nje te tille. Prandaj, une i kisha marre masat dhe
programuar kohen qe do kaloja me te gjithe dhe punet qe do mbaroja se heren e
meparshme, me ishte dukur sikur isha bere dhe une lemsh ne jeten e te tjereve
dhe kisha humbur sensin e kohes perzier ne llafollogjite dhe dembelizmat e
kota. Funksionoi!!!
Shoqeria ime kete here (shumica seksi ‘i
forte’, kuptohet normalisht, femrat), s’ma kishte shume ngene, sepse kishin
filluar ose pune ‘me rendesi’ ku nuk toleroheshin kafet e stergjata, ose
bizneset e tyre. “Laura, po deshe te me takosh, hajde me mua ne nje projekt te
Ministrise se Aresimit ne veri, dhe flasim rruges, perndryshe s’kam kohe, s’kam
çfare te bej.” - me tha shoqja ime e ngushte. E une ate bera, shkova te gjej
disa copeza te vetvetes aty ku ndaluan hapat a rrotat e makines… i gjeta, i
mblodha e i mora me vete se s’kam si t’u shpetoj, me mire qe i gjeta se keshtu
ajo origjina ime atje larg ne dhe te huaj vijezohet disi me qarte..
Pubet, ec te vdeksha. Moda mode, djemte djema,
nga ai i sojit tone, bombat bomba, muzika muzike, popullorja popullore, orari
orar, ahengu aheng, gjujtja gjujtje… Ah, lere lere, aq qejf behej sa s’di t’ua
pershkruaj, tani kur e kujtoj, me behet trupi mornica mornica… Turruni sa me
pare, se iu iku jeta kot neper bote, qejfi behej ne Shqiperi. E kush te mos me
besoje, le te mos me besoje. More sikur qetesohet gjaku ne vendin e vet, sikur
muzika tingellon me embel, e sikur malli toleron aq shume. Ata m’i rendisnin
problement ne tavoline e une akoma qeshja, çdo fjale me dukej mjalte. “Laura
moj, ç’te ka bere Amerika? Me serioze se s’ka hije! E kupton rendesine e
problemit apo jo!”.
Te gjithe diskutonin me zjarr dhe kenaqesi per
lajmin gati te shumepritur : “Pavaresine e Kosoves”. Lajmet e permendnin temen
ftohte, por nga diplomacia e kishin, kuptohet. Prandaj nuk degjuat asgje dhe
per mitingjet javore ku merrte pjese e gjithe Shqiperia ne mbeshtetje te
çeshtjes sone kombetare, sic pati thene i madhi Noli. Hajde feste qe behej edhe
Dajti shkundej bashke me ate damarin pak te djegur qe ma kishte theksuar mes
vetullave, por mos tregoni se rame dakort ta mbajme te fshehur per hir te
diplomacise. Mua sigurisht qe me behej zemra mal, se i kisha pare vete me keta
dy sy ato ditet e zeza te luftes, ku nje popull u perzu me kalashe nga shtepiat
e tyre, kur rruget ishin mbjellur me kufoma e gjymtyre, kur syte tregonin
tmerrin e nje kafsherie cnjerezore, kur populli shqiptar po sakatosej per te
saten here, ne emer te cfare? Te nje miti?
Ne televizor ziheshin deputetet. Po burra po
ju them, tamam burra me te kenaqur syrin, si seks ‘i dobet’ qe quhen gabimisht,
sepse me kishin nje ze te forte, ndonjehere çjerres, si ato te mackave naten
kur duan te qiftëzohen e kercet grushti mbi qati; por prape ze triumfues,
kembues, dritherues, grushtues, kar-rigues aq sa, une zaptohesha nga nje
ndjenje fantastike krenarie per seksin ‘e dobet’ qe na perfaqeson si popull, qe
shahet e perleshet ne parlament qe ne ta kuptojme mire se ata jane BURRA siç u
ka hije, e shpalosin mire dijen, fuqine e autoritetin para ekraneve ku thahet
peshtyma e lemshi ngelet grykave te etura per pak njerzillek, pak qytetari, pak
dinjitet, pal llogjike, pak dashuri, pak hijeshi intelektuali, e pak komunikim
me ata qe i kane zgjedhur, e me pak genjeshtra, e me pak gjeste te
shperfytyruara fytyrash, e me pak sharje, e me pak premtime, e pak pune…e … e….
Ç’ti besh se sa doja te fluturoja dhunshem brenda botes se tyre per te kuptuar
disi shkarjet psikologjike te politikes shqiptare, mbesa ja fuste nje ulerime
urdheruese: “Nroje kanalin, bre! Muzike! T’ka lon menja fare!”.
Apo s’kishte televizioni kanale, tere diten, plot me te perdridhura dhe ‘te
dua, s’te dua; ta jap s’ta jap; me le, te lashe, ma dhe, s’ta dhashe; zemra e
nje vashe po pellcet, zemra e nje djali po buçet; s’kam ze po kam bel; s’kam
talent po kam fustan bojakuq me tel…’.
Takova ish-profesoret e mi. Vetem ne Shqiperi
arrin te takosh personalitete (ne fushen e artit po flas) pa veshtiresi, dhe te
te ofrojne kohen e tyre me aq modesti. E pine kafen me
nge a thua se e kane gjithe kohen aty mbi taboline e te pyesin e te pergjigjen
duke te pare ne sy, pa shume fjale, se edhe heshtjet, edhe psheretimat, edhe te
qeshurat kane kohen e tyre te arte.
Sa ndertime! Sa ndertime! Dhe blloku do
spostohej, me thane. Ishte e modes te flitej se ku po e ndertonte sejcili
‘apartamentin e ri’. Shume te kushtueshme, por edhe parate per t’u prishur
jane. Ndonese shpesh nuk ishte paramenduar ana estetika para pallateve te reja,
shqiptaret do blejne se do blejne. Disa miq te huaj franceze te organizates
‘Mjeket e Botes’ e qe vijne cdo vit ne Tirane (pasi krijuan nje lidhje miqesie
te vecante me qytetin e Elbasanit ku ata erdhen per here te pare gjate luftes
se Kosoves) shprehen te mahnitur se ndonese duket nje çrregullim nga ana e
jashtme ata nuk kishin pare kurre nje shtet te ndertohej aq shpejt, nje popull
kaq punetor: “Mbase kur je ketu nuk viher re. Por ne qe vijme nje here ne vit
shohim ndryshime te medha”.
U une se harrova restorantin ne Durres afer
kasolles se vetmuar. Frynte era, ngrihej rera, deti kot tallej se aty do ishte
dhe neser bashke me te dashuruarit, ashtu si dhe menuja qe une s’ju ndava
dot.Kur u ktheva isha me fat, u nisa nga aeroporti i ri. Kishte lezet. Si dalje
ndryshe mu duk, por prape pa dere shyqyr Zotit, freski e gjalle, me xhama akoma
te lare, xixe, dhe me formuala miresjelljeje. Ne avion i solla serish ndermend
te gjitha ato qe m’i dhuroi Shqiperia per ato dy jave e ne fund psheretiva:
Sa i rende eshte kurbeti…
Kur pas tij fshihet deti…